Shkup, 14.08.2025 –Pas shpalljes së Zgjedhjeve Lokale, që do të mbahen më 19 tetor 2025, vendoset përsëri në funksion Trupi Koordinues për trajtimin e ankesave, bazuar në Kodin e Sjelljes në hapësirën online gjatë proceseve zgjedhore dhe referendumeve. Ky është një mekanizëm për mbrojtjen dhe respektimin e së drejtës për liri të shprehjes dhe informimit, të garantuar nga neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore, si dhe nga ligjet e Maqedonisë së Veriut.
Individët, institucionet, organizatat joqeveritare, partitë politike ose kandidatët e pavarur mund të paraqesin ankesë pranë Trupit Koordinues, nëse vlerësojnë se në lidhje me procesin zgjedhor po përhapen dezinformata, gjuhë urrejtjeje, diskriminim, keqpërdorim i të dhënave personale apo shkelje të Kodit të Gazetarëve të Maqedonisë dhe Udhëzimeve për raportim etik të mediave online.
Adresa elektronike për paraqitjen e ankesave është: koordinativnotelozaizbori@avmu.mk.
Trupi Koordinues përbëhet nga përfaqësues të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA), Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Këshillit për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM), Institutit Maqedonas për Media (IMM), Institutit për Studime të Komunikimit (ISK) dhe Fondacionit “Metamorfozis”.
Koordinatore është zgjedhur Biljana Georgievska, drejtoreshë e Këshillit për Etikë në Mediat e Maqedonisë, ndërsa zëvendëskoordinatore është Olivera Vojnovska nga Fondacioni “Metamorfozis”.
Kodi i Sjelljes në hapësirën online gjatë proceseve zgjedhore dhe referendumeve, i miratuar në shtator të vitit 2023, zbatohet për partitë politike, kandidatët e tyre dhe kandidatët e pavarur në hapësirën online (përfshirë rrjetet sociale), publikimet online të radiodifuzerëve, mediat online, verifikuesit e fakteve, influencuesit dhe subjekte të tjera që mund të ndikojnë tek qytetarët dhe tek e drejta e tyre e votës.
Respektimi i Kodit synon të sigurojë integritetin e informacionit gjatë procesit zgjedhor, transparencën e reklamimit politik, sigurinë e të dhënave personale dhe parandalimin e përhapjes së dezinformatave, gjuhës së urrejtjes, ksenofobisë, jotolerancës, frikës apo tensioneve që minojnë demokracinë.
Gjatë dy viteve të fundit, në Kod janë bashkuar tre parti politike: Levica, Partia Demokratike Evropiane dhe Partia e Pensionistëve, si dhe 21 organizata mediatike (TV Alfa, TV Koha, TV Tera, TV Due, TV Koçani LD, TV Spektra, Radio Bleta, Radio Koçani, Radio Vati, Radio Kometa, gazeta Koha, Sport1, 4News, Ekipa, Radovis News, Gostivari Sot, Flaka, Makpress, Odluçise.mk, Portalb dhe 360 Stepeni).
Trupi Koordinues inkurajon të gjitha subjektet që përfshihen në Kod të bashkohen dhe të angazhohen për respektimin e dispozitave të tij, duke kontribuar që zgjedhjet lokale të zhvillohen në një atmosferë të drejtë dhe demokratike. Formulari për tu bërë pjesë e Kodit gjendet online
Më shumë detaje mund të lexoni tek: Kodi i Sjelljes në hapësirën online gjatë proceseve zgjedhore dhe referendumeve.