Me shpalljen e Zgjedhjeve Parlamentare dhe Presidenciale 2024, filloi periudha e veprimit të Trupit Koordinues për monitorimin e respektimit të Kodit të Sjelljes në hapësirën online gjatë proceseve zgjedhore dhe referendumeve.
Trupi koordinues do të veprojë pas parashtresave në lidhje me shkelje të mundshme të Kodit nga partitë politike, kandidatët e tyre, kandidatët e pavarur, edicionet në internet të transmetuesve, mediat online, kontrolluesit e fakteve, ndikuesit dhe subjektet e tjera që mund të ndikojnë mbi publikun në funksion të fushatës gjatë zgjedhjeve ose referendumeve.
Parashtresa mund të dërgojnë të gjithë qytetarët dhe personat juridikë në adresën e e-mail: koordinativnotelozaizbori@avmu.mk. Parashtresat mund t’i referohen shpërndarjes së dezinformatave (informacione të pasakta, jo të plota, të rreme ose keqdashëse), gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit mbi çdo bazë, mosrespektimit të rregullave dhe standardeve për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe formave të tjera të sjelljes joetike në internet.
Trupi koordinues përbëhet nga përfaqësues të: Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Institutit Maqedonas për Media, Këshillit për Etikë në Media në Maqedoni, Institutit për Studime të Komunikimit, Fondacionit “Metamorfozis” dhe Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele.
Deri më tani, i janë bashkuar Kodit tri parti politike (E majta, Partia Demokratike Evropiane dhe Partia e Pensionistëve) dhe 14 organizata mediatike (TV Koha, TV Tera, TV Due, TV Koçani LD, TV Spektra, Radio Bleta, Radio Koçani, Radio Vati, Sport1, 4Njuz, Ekipa, Radovish Njuz, Portalb dhe 360 Gradë). Trupi koordinues fton të gjitha subjektet të cilave u referohet Kodi, sa më shpejt të jetë e mundur të kenë qasje në të dhe rikujton se përveç pas parashtresave, do të reagojë publikisht dhe për pyetje me interes të gjerë publik, si dhe për çështje që lidhen me mediat dhe me të gjithë pjesëmarrësit në hapësirat – online gjatë procesit zgjedhor.
Për koordinator të këtij trupi u zgjodh Sashe Dimovski nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, ndërsa zëvendës koordinatore Olivera Vojnovska nga Fondacioni Metamorfozis.