Kodi i gazetarëve të Shoqatës së mediave të Maqedonisë

Kodi i gazetarëve të Shoqatës së mediave të Maqedonisë

 

PARIMET THEMELORE:

Liria e mediave është e drejtë e patjetërsueshme.

Detyra themelore e gazetarëve është ta respektojnë të vërtetën dhe të drejtën e opinionit të jetë i informuar, në përputhje me nenin 16 të kushtetutës tonë.

Roli i gazetarëve është të transmetojnë informata, ide dhe mendime dhe kanë të drejtë të komentojnë. Duke respektuar vlerat etike dhe standardet profesionale në transmetimin e informatave, gazetarët duhet të jenë të ndershëm, objektivë dhe të saktë.

E drejtë dhe detyrë e gazetarëve është të përpiqen të parandalojnë censurën dhe shtrembërimin e lajmeve.

Duke ndjekur rolin e tyre në ndërtimin e demokracisë dhe të shoqërisë qytetare, gazetarët do t’i mbrojnë të drejtat e njeriut, dinjitetin dhe lirinë, do ta respektojnë pluralizmin e ideve dhe qëndrimeve, do të kontribuojnë në forcimin e shtetit juridik dhe në kontrollin e pushtetit dhe subjekteve tjera të jetës publike.

BAZUAR NË KËTO PARIME DHE VLERAT ETIKE:

1. Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.
2. Nëse gazetari pengohet të arrijë deri te informata e kërkuar, ai ka të drejtë për këtë të informojë opinionin.
3. Gazetari do të përpiqet të garantohet publikimi i korrigjimit, demantit dhe përgjigjes, në rast kur do të vërtetohet pasaktësia e informatës.
4. Gazetari do ta publikojë burimin e informatave, mirëpo, nëse burimi kërkon të mbetet anonim, gazetari do ta mbrojë.
5. Gazetari do të respektojë ligjet e shtetit, mirëpo nuk do të publikojë ose fshehë asgjë që është në kundërshtim me interesin publik.
6. Gazetari nuk guxon të shfrytëzojë median për publikimin ose fshehjen e informatave për përfitime personale. Ryshfeti, korrupsioni dhe haraçi janë gjëra të huaja për profesionin e gazetarit. Nuk guxon të lejojë reklama dhe motivet tjera komerciale të ndikojnë mbi lirinë e informimit. Duhet të bëhet dallim mes reklamimit dhe tekstit me ilustrim të gazetarit.
7. Gazetari do ta respektojë privatësinë e personit, përveç kur kjo bie ndesh me interesin publik. Gazetari është i detyruar ta respektojë dhimbjen dhe vuajtjen e personit.
8. Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi. Në proceset gjyqësore duhet të respektohet parimi i pafajsisë, të raportohet për të gjitha palët e përfshira në kontest dhe të mos sugjerohet vendimi.
9. Gazetari nuk duhet të intervistojë ose të fotografojë fëmijë nën 16 vjeç pa pëlqimin e prindërve ose kujdestarit, përveç nëse kjo nuk është në përputhje me të drejtat e fëmijëve. E njejta zbatohet edhe për personat me nevoja të posaçme, të cilët nuk janë në gjendje të gjykojnë me vetëdije.
10. Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)
11. Gazetari do t’u përmbahet standardeve të pranuara shoqërore që kanë të bëjnë me mirësjelljen dhe respektimin e dallimeve etnike, kulturore dhe fetare në Maqedoni.
12. Plagjiatura është e papranueshme. Citatet nuk nuk guxon të përdoren pa miratimin e burimit ose të autorit.
13. Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.
14. Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjtetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.
15. Gazetari patjetër ta kultivojë kulturën e të shprehurit dhe etikën. Komunikimi i pashembullt me opinionin nuk i ka hije profesionit të gazetarit.
16. Gazetari do ta ruajë namin dhe dinjitetin e profesionit të tij, do të nxisë solidaritetin reciprok dhe pluralizmin e mendimeve dhe nuk do ta përdorë mediumin e tij për qërim hesapesh me persona duke përfshirë edhe kolegët e tij.
17. Gazetari ka të drejtë të refuzojë detyrën e punës nëse është në kundërshtim me parimet e këtij Kodi.

DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE: 

Gazetarët që punojnë në përputhje me këtë Kod gëzojnë përkrahjen e mediave të tyre dhe të organizatave të tyre profesionale.

Në përputhje me ligjet tona, gazetarët do ta pranojnë vlerësimin profesional vetëm prej kol egëve të tyre dhe do të jenë jashtë ndikimeve politike dhe ndikimeve të tjera

Për respektimin e parimeve të këtij Kodi kujdeset Këshilli i Nderit i “Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë”.