KODI I SJELLJES NË HAPËSIRËN ONLINE GJATË PROCESEVE ZGJEDHORE DHE REFERENDUMEVE
Kodi është hartuar me iniciativë të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Adiovizuele në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, Institutin Maqedonas për Media, Këshillin për Etikë në Media në Maqedoni, Institutin për Studime të Komunikimit dhe Fondacionin ”Metamorfozis”.
Shtator, viti 2023
Duke e konfirmuar vendosmërinë e demokracive moderne për të mbrojtur dhe respektuar të drejtën themelore për lirinë e shprehjes dhe informimit, të garantuar nga neni 10 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore;
Duke e kujtuar rëndësinë e ekzistimit të shumëllojshmërisë së madhe të mediave të pavarura dhe sovrane në shoqëritë demokratike, të cilat mund të pasqyrojnë shumëllojshmërinë e ideve dhe opinioneve, dhe faktin se teknikat dhe shërbimet e reja të informacionit dhe komunikimit duhet të përdoren në mënyrë efektive për të zgjeruar fushën e lirisë së shprehjes;
Duke i dënuar të gjitha format e shprehjes që nxisin racizmin, ksenofobinë, antisemitizmin dhe një klimë të intolerancës, urrejtjes, dhunës dhe diskriminimit, si dhe çdo veprim apo fjalim që mund të rrisë frikën dhe tensionet ndërmjet grupeve të ndryshme racore, etnike, kombëtare, fetare ose origjinën sociale, sepse minojnë demokracinë, kohezionin kulturor dhe pluralizmin;
Duke vënë në dukje se forma të tilla të shprehjes mund të kenë një ndikim më të madh dhe më të dëmshëm kur transmetohen përmes mediave, duke pasur parasysh rolin e tyre në shoqëritë moderne, veçanërisht gjatë zgjedhjeve dhe referendumeve;
Duke e marrë parasysh zhvillimin e shpejtë të teknologjisë dhe shfaqjen e mediave të reja, përdorimin dhe ndikimin në rritje të rrjeteve sociale në ciklet zgjedhore, si dhe implikimet për demokracinë e qarkullimit të informacioneve jo të plota, të pasakta ose keqdashëse, veçanërisht në hapësirën online ndaj demokracisë;
Duke i marrë parasysh incidentet e mbledhjes së të dhënave personale dhe cenimin e privatësisë së qytetarëve, si dhe rrezikun e abuzimit të tyre për përhapjen e gjuhës së urrejtjes, spekulimeve dhe dezinformatave;
Të shqetësuar se mostransparenca ose transparenca e pamjaftueshme e çdo aspekti të procesit zgjedhor mund të cenojë integritetin e zgjedhjeve;
Në përputhje me kornizën ligjore dhe politike për mediat dhe zgjedhjet, duke përfshirë, por pa u kufizuar në Kodin Zgjedhor, Ligjin për Media, Ligjin për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuele, Ligjin për Qasje të Lirë te Informatat me Karakter Publik, Kodin e Etik të Gazetarëve të Maqedonisë dhe Udhëzimet për raportim etik të mediave online
U miratua
KODI I SJELLJES NË HAPËSIRAT ONLINE GJATË PROCESEVE ZGJEDHORE DHE REFERENDUMEVE
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Përfshirja e Kodit
Neni 1
Ky Kod përfshinë sjelljen e partive politike, kandidatëve të tyre dhe kandidatëve të pavarur në hapësirën online (përfshirë rrjetet sociale), gjatë cikleve zgjedhore dhe referendumeve. Kodi përfshin edhe edicionet e transmetuesve në internet, mediat online, verifikuesit e fakteve, influencuesve dhe subjekte të tjera që mund të ushtrojnë ndikim në publik si pjesë e një fushate gjatë zgjedhjeve ose referendumeve.
Kodi do të shërbejë si një udhëzues për sjellje të mirë për të garantuar integritetin e informacioneve gjatë zgjedhjeve dhe referendumeve dhe transparencën e reklamimit politik dhe financimin e tij, privatësinë dhe sigurinë e përpunimit të të dhënave personale të qytetarëve, si dhe për të parandaluar përhapjen e dezinformatave (informacione të pasakta, jo të plota, të rreme ose keqdashëse), gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit mbi çdo bazë.
Respektimi i këtij Kodi është mbi bazë vullnetare dhe nuk i zëvendëson rregullat dhe rregulloret ligjore ekzistuese apo të ardhshme, por është një mjet që thërret në përgjegjësi individuale subjektet të cilave u referohet.
Qëllimi i Kodit
Neni 2
Qëllimi i Kodit është të rrisë transparencën e zgjedhjeve si dhe të forcojë besimin e qytetarëve, duke ofruar një mjedis dhe kushte të favorshme për respektimin e të drejtave të garantuara me ligj, lirinë e shprehjes dhe informimit, si dhe privatësinë dhe sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve në hapësirën online.
Përkufizimet
Neni 3
Për nevojat e këtij Kodi, disa terma përkufizohen në këtë mënyrë:
”Proces zgjedhor” është koha nga data e miratimit të aktit për shpalljen e zgjedhjeve deri në datën e publikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura.
”Fushata zgjedhore” është prezantim publik i kandidatëve të konfirmuar nga organet kompetente zgjedhore dhe programeve të tyre në periudhën parazgjedhore për një lloj të caktuar zgjedhjesh;
“Heshtja zgjedhore” fillon dhe zgjat për një periudhë 24 orë para ditës së zgjedhjeve dhe në ditën e zgjedhjeve.
“Pjesëmarrës në një fushatë zgjedhore” është personi i autorizuar nga një parti politike, koalicion ose grup zgjedhësish që organizojnë fushatën zgjedhore;
“Qasje e drejtpërdrejtë te votuesit” janë format e përfaqësimit politik falas dhe reklamave politike me pagesë, përmes të cilave pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore i promovojnë lirshëm programet, qëndrimet dhe kandidatët e tyre;
“Reklamim politik me pagesë” është një qasje e drejtpërdrejtë e pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore deri te zgjedhësit, përmes së cilës promovohen programet zgjedhore, qëndrimet dhe kandidatët. Llojet e reklamave politike me pagesë janë: shpalljet, njoftimet, videoklipet politike gjatë zgjedhjeve, videoklipet muzikore që funksionojnë si himne të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore, transmetimet ose incizimet e mitingjeve, takimeve dhe ngjarjeve të tjera të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore;
“Mediat sociale” janë platforma të bazuara në internet që mundësojnë ndërveprim ndërmjet përdoruesve dhe brenda të cilave ata mund të krijojnë, ndajnë dhe shkëmbejnë informacione përmes komuniteteve dhe rrjeteve virtuale. Mediat sociale mund të përfshijnë, por nuk kufizohen në Facebook, Twitter, YouTube, Instagram, TikTok, blogje, forume dhe të ngjashme.
“Përmbajtje e pa sponsorizuar në mediat sociale” është përmbajtje që krijohet nga përdoruesit në kohë reale dhe publikimi i së cilës, pra promovimi, është falas. Një përmbajtje e tillë nënkupton postime, foto, video, meme, ”histori ” dhe të ngjashme, të cilat përdoruesit që përdorin mjete falas të mediave sociale i përdorin për të ndërvepruar me përdoruesit e tjerë të mediave sociale.
“Media online” është media e bazuar në internet me origjinë nga një burim i vetëm ose ueb faqe statike ku përmbajtja mund të lexohet/ndiqet ose shkarkohet nëpërmjet shfletuesve të internetit dhe shërben për të ofruar përmbajtje të redaktuara që arrin një audiencë të madhe dhe qëllimi i të cilave është të informojnë, argëtojnë ose edukojnë.
“Dezinformimi” është informacioni i gabuar dhe i krijuar qëllimisht për të dëmtuar një person, grup, organizatë ose shtet.
“Informacione qëllimkeqe” janë informacione të vërteta, por keqdashëse që përpilohen për të shkaktuar dëm, shpesh duke përcjellë informacione që duhet të mbeten private.
“Lajmet e rreme” janë tekste të pasakta, ndonjëherë sensacionale, të krijuara për të tërhequr vëmendjen, për të shkaktuar sjellë në huti, për të mashtruar dhe/ose për të dëmtuar. Ato jo domosdoshmërisht duhet të jenë plotësisht false për të qenë manipuluese, ato mund të jenë të sakta, por jo të plota, të mungojnë detajet kryesore ose të paraqiten në kontekstin e gabuar dhe kështu të manipulojnë konsumatorin.
“Troll-farm” është një grup përdoruesish që kryejnë aktivitete propagandistike dezinformuese në internet. Aktivitetet shpesh maskohen si spontane ose punë të një agjencie të marrëdhënieve me publikun ose një grupi tjetër. Përdoruesit Troll-farm kryesisht i arrijnë qëllimet e tyre përmes dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes.
“Verifikuesit e fakteve” janë organizata që kontrollojnë saktësinë faktike të përmbajtjeve, raporteve dhe deklaratave të diskutueshme bazuar në kritere të paracaktuara. Verifikimi i fakteve mund të kryhet brenda vetë redaksive përpara se të publikohet informacioni ose publikisht nga media të specializuara, organizata ose departamente të verifikimit të fakteve pasi teksti ose përmbajtja të jetë publikuar ose shpërndarë ndryshe.
PARIMET DHE STANDARDET
Parimet dhe standardet për mediat
Neni 4
Të gjitha mediat, si ato tradicionale ashtu edhe ato online, duhet t’u përmbahen standardeve dhe rregullave gazetareske të përcaktuara në Kodin Etik të Gazetarëve të Maqedonisë dhe në Udhëzimet për raportim etik të mediave online të përgatitur nga Këshilli për Etikë në Media, duke i respektuar parimet e dinjitetit njerëzor dhe mosdiskriminimin.
Kjo veçanërisht vlen gjatë informimit të tyre në periudhën e proceseve zgjedhore dhe referendumeve, duke pasur parasysh se votuesit duhet të kenë mundësi t’u besojnë atyre dhe të kenë besim në përmbajtjen që transmetojnë ose publikojnë gjatë fushatave zgjedhore.
Mediat online, transmetuesit dhe edicionet e tyre online, si dhe influencuesit dhe subjektet e tjera që mund të ndikojnë mbi publikun në funksion të fushatës gjatë periudhës së zgjedhjeve ose referendumeve mbajnë përgjegjësi shoqërore dhe etike, ndaj duhet:
- – të publikojnë dhe shpërndajnë informacione të vërteta dhe të sakta, besueshmëria e të cilave është kontrolluar, veçanërisht nëse e kanë marrë përmes rrjeteve sociale, blogjeve dhe burimeve të tjera në internet. Nëse vërtetësia e një informacioni të caktuar nuk mund të konfirmohet, ky fakt duhet theksuar siç duhet;
- – të publikojnë korrigjim nëse informacioni i publikuar më parë është i gabuar, sipas Ligjit për Media;
- të transmetojnë informacionet në mënyrë të qartë dhe decide në mënyrë që audienca të bëjë dallimin e qartë midis lajmit dhe komentit;
- – të publikojnë qëndrime dhe pikëpamje të ndryshme dhe nuk do të fshehin qëllimisht ose të heshtin fakte të rëndësishme, zbardhja e të cilave mund të ndikojë në interpretimin e përmbajtjes;
- – të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të marrë informacione në kohë, të verifikuara, të sakta dhe objektive;
- – të respektojnë të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë procesit të informimit në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale;
- – raportojnë pa sensacionalizëm, stereotipe, paragjykime, nxitje për dhunë, diskriminim, gjuhë urrejtjeje dhe fjalë nxitëse;
- – të përmendin burimin gjithmonë kur publikojnë informata, fotografi, video ose përmbajtje të njëjta që nuk janë të tyre, dhe të sigurojnë link mbi përmbajtjen origjinale;
- – të refuzojnë të botojnë çfarëdolloj reklame për qëllime propaganduese ose promovuese nëse porositësi nuk është shënuar qartë;
- – që në rastin e reklamimit politik me pagesë, ata do ta shënojnë qartë reklamimin si të tillë;
- – të respektojnë rregullat për heshtje zgjedhore dhe të mos publikojnë përmbajtje me të cilat do t’i shkelin.
Parimet dhe standardet për partitë politike dhe kandidatët (e pavarur)
Neni 5
Interneti u mundëson politikanëve të kenë ndërveprim të drejtpërdrejtë me qytetarët, të arrijnë një audiencë më të larmishme dhe t’i inkurajojnë qytetarët /„ndjekësit“ të shpërndajnë përmbajtje për mbështetjen e tyre.
Përhapja e informacioneve të pasakta, të paplota, të rremë ose keqdashëse e kombinuar me gjuhën e urrejtjes mund t’i frikësojë votuesit dhe të nxisë konfrontime të dhunshme, të cilat mund të vënë në pikëpyetje besueshmërinë dhe legjitimitetin e rezultateve të zgjedhjeve.
Duke pasur parasysh këtë, partitë politike, kandidatët e tyre dhe kandidatët e pavarur gjatë proceseve zgjedhore, si dhe propozuesit dhe kundërshtarët e çështjeve për referendum gjatë referendumeve:
- – do t’i shfrytëzojnë mediat sociale në mënyrë që të jetë e qartë se kujt i përket, respektivisht kush është përgjegjës për profilin/faqen;
- – do të sigurojnë që bartësit e funksioneve publike të përdorin profilet/faqet zyrtare në rrjetet sociale ekskluzivisht për promovimin e aktiviteteve të kryera në cilësinë zyrtare dhe jo për promovimin e programeve zgjedhore;
- – do të përmbahen nga abuzimi me fuqinë e rrjeteve sociale dhe nga krijimi, publikimi dhe shpërndarja e qëllimshme e informacioneve për të promovuar informacione dhe spine të pasakta, të paplota ose qëllimkeqe;
- – do të përmbahen nga përdorimi i botëve automatikë (robotëve) dhe/ose strukturave të organizuara joautomatike në rrjetet sociale (troll dhe troll-farrm) për shpërndarje të orkestruar keqdashëse të dezinformatave, për manipulim të opinionit publik dhe pikëpamjeve të qytetarëve, për mbledhjen e pikëve politike ose ngacmimit kibernetik, veçanërisht ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias dhe do të dënojnë çfarëdolloj përdorimi të tyre;
- – do t’i respektojë rregullat dhe standardet për mbrojtjen e të dhënave personale në përputhje me rregulloret për mbrojtjen e të dhënave personale;
- – do të përmbahen nga çdo sjellje joetike në internet me çka do të ndikohej tek votuesit në mënyrë që ata të mos ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar;
- – do të përpiqen të përdorin argumente dhe fakte në debate dhe diskutime publike, gjuhë shembullore dhe të sjellshme në komunikim me publikun dhe do të respektojë pikëpamjet dhe opinionet e ndryshme;
- – do të përmbahen nga udhëheqja e një fushatë negative kundër kundërshtarëve të tyre;
- – do të përmbahen nga përdorimi i gjuhës që nxit dhunë, intolerancë fetare ose ndëretnike ose diskriminim mbi çfarëdo baze dhe do ta dënojnë të njëjtën;
- – do të jenë transparentë, respektivisht do të publikojnë informacione për pronësinë dhe/ose çdo lloj lidhjeje (të tyre ose të familjarëve të tyre) me mediat online;
- – do të jenë transparentë për reklamimin online duke treguar gjithmonë qartë se janë porositësit e reklamimit politik dhe në rast se porositësit janë palë të treta, ata do të prononcohen se çfarë lidhje kanë me ta;
- – do të jenë transparentë, respektivisht do të publikojnë informacione për fondet e shpenzuara për reklamat e paguara politike në mediat sociale dhe mjete të tjera online;
- – do të përmbahen nga publikimi i përmbajtjeve në profilet/llogaritë e tyre personale në internet që mund të cenojnë heshtjen zgjedhore (siç përcaktohet në Kodin Zgjedhor).
Parimet dhe standardet për verifikuesit e fakteve
Neni 6
Verifikuesit e fakteve do t’i përmbahen Kodit Ndërkombëtar të Rrjetit për Verifikimin e Fakteve dhe Kodit Evropian të Standardeve për Organizatat e Pavarura të Verifikimit të Fakteve, dhe veçanërisht:
- – do t’i respektojë standardet e vendosura për mënyrën e punës, etikës dhe transparencës për t’i shërbyer sa më mirë interesit publik;
- – në çdo verifikim të fakteve, ata do të udhëhiqen nga parimi që provat diktojnë konkluzionet;
- – të gjitha burimet do t’i shënojnë me detaje të mjaftueshme në mënyrë që lexuesit të mund të përsërisin punën e tyre dhe të arrijnë në përfundimet e tyre. Përjashtim do të jetë vetëm kur zbulimi i detajuar i burimit mund të rrezikojë sigurinë e të dhënave të tij/saj personale;
- – do të jenë transparentë për metodologjinë që e përdorin, pse dhe si kanë zgjedhur të hulumtojnë çështje të caktuara;
- – do të sqarojnë qartë se çfarë është ajo që mund të kontrollohet në mënyrë legjitime dhe në të njëjtën kohë do të inkurajojnë qytetarët dhe palët e tjera të interesuara të dërgojnë kërkesa për verifikimin e fakteve;
- – do të publikojnë një politikë korrigjimesh dhe sqarimesh dhe t’i përmbahen me vendosmëri. Korrigjimet do të postohen në një vend të dukshëm për të lejuar dukshmërinë e versionit të korrigjuar.
TRUPI PËR PARAQITJE DHE VEPRIM MBI PARASHTRESAT
Neni 7
Për ndjekjen e respektimit të parimeve dhe standardeve të këtij Kodii, brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi i tij do të formohet Trupi Koordinues dhe do të funksionojë nga dita e shpalljes së zgjedhjeve/referendumit deri në përfundimin e tyre.
Trupi Koordinues do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve/organizatave që janë iniciatorë të këtij Kodi: Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Instituti Maqedonas për Media, Këshilli për Etikë në Media në Maqedoni, Instituti për Studime të Komunikimit dhe Fondacioni Metamorfozis. Mënyra e veprimit të Trupit dhe procedura për parashtrimin e parashtresave drejtuar këtij Trupi do të rregullohen me Memorandum Bashkëpunimi.
Nëse është e nevojshme, përbërja e tij mund të zgjerohet edhe me përfaqësues të tjerë relevantë, përmes Aneksit të Memorandumit të Bashkëpunimit.
Trupi Koordinues mund t’u drejtohet institucioneve të tjera për mendim ose ekspertizë kur çështja që ai shqyrton është plotësisht ose pjesërisht në kompetencën e një institucioni ose trupi tjetër.
Të gjitha parashtresat dhe përgjigjet do të publikohen në një ueb faqe të veçantë, të krijuar për këtë qëllim, në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe rregulloret e miratuara në bazë të këtij ligji dhe në përputhje me nenin 10 të Ligjit për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik.
QASJA NË KOD
Neni 8
Të gjitha palët e interesuara mund t’i qasen Kodit duke nënshkruar një formular aderimi ku marrin përsipër vullnetarisht të respektojnë rregullat dhe parimet e tij.
Formulari i nënshkruar i aderimit i dorëzohet Trupit Koordinues nga neni 7 i këtij Kodi.
Pasi të angazhohen për respektimin vullnetar të Kodit, të gjithë ata që kanë aderuar në të do të ndërgjegjësojnë në mënyrë aktive ekzistencën e tij dhe standardet e vendosura në të në nivel të brendshëm.